Enveri dhe Zogu i Vogël

 Një pasdite, përpara se të niste detyrat e shtëpisë, Enveri vuri re se kishte filluar të binte shi i madh. E pyeti nënën nëse mund ta shihte pak shiun. Ajo i dha leje për pak kohë dhe ai u afrua tek dritarja dhe filloi të shihte sa këndshëm binte shiu. Në rrugë kishte njerëz që ecnin me nxitim duke mbajtur çadra në dorë. Të tjerët, që kishin mbetur pa çadra, ecnin afër mureve të ndërtesave. Pas pak, filluan të formoheshin pellgje gjithkund. Makinat që kalonin me rrëmbim e hidhnin ujin në trotuar dhe kalimtarët, nga frika se mos lageshin, largoheshin tutje. Enveri mendoi, sa mirë ishte që, në një ditë si kjo, ai ishte në shtëpi dhe filloi ta falënderonte Allahun që i kishte dhuruar ushqim dhe një shtëpi të ngrohtë. Në atë çast, një harabel i vogël u ul në parmakun e dritares. Ai po kërkonte një strehë për t’u mbrojtur nga shiu. Enverit i erdhi shumë keq për zogun dhe menjëherë ia hapi dritaren. -“Përshëndetje, unë quhem Enver. Mund të vish brenda po të duash.” -“Faleminderit shumë, Enver. - tha zogu i vogël. Do të më pëlqente të prisja brenda derisa të pushonte shiu.” -“Duhet të kesh ftohtë,- ia qau hallin Enveri,- unë nuk kam parë asnjëherë një zog kaq afër. Oh, sa të holla i ke këmbët! Si mund ta mbajnë ato trupin tënd?” -“Ashtu është, Enver, -pohoi harabeli, -ne zogjtë kemi këmbë shumë të holla në krahasim me trupin. Por, megjithatë, ato mund të na mbajnë ne mjaft lehtë. Brenda tyre ka shumë muskuj, vena dhe nerva. Nëse këmbët tona do të ishin pak më të holla apo pak më të trasha, ne nuk do të ishim në gjendje të fluturonim.” -“Oh, të fluturosh, sa ndjenjë e mrekullueshme duhet të jetë. -Ëndërroi Enveri. Edhe krahët e tu janë të hollë, por ti mund të fluturosh me ta. Si është e mundur që me këta krahë të hollë ti fluturon shumë larg pa u lodhur?” -“Kur nisim në fillim të fluturojmë, shpenzojmë shumë energji, sepse na duhet që të mbajmë gjithë peshën e trupit në krahët tanë të vegjël,- filloi të tregonte harabeli i vogël. Por, ç’ndodh? Sapo jemi në lartësi, ne qetësohemi duke e lënë veten të udhëhequr nga era. Kështu, ne harxhojmë më pak energji dhe nuk lodhemi. Kur pushon era, ne fillojmë t’i përplasim krahët sërish. Kështu, Allahu na i ka lehtësuar fluturimin në largësi të mëdha.” Enveri, i cili kishte dëshirë të dinte më shumë rreth tij, e pyeti: -“Po kur je në fluturim, si mund të shohësh përreth?” Harabeli, i papërtuar, filloi t’i shpjegonte: -“Shqisat më të mira që kemi janë sytë. Përveç aftësisë për të fluturuar, Allahu na ka dhënë gjithashtu një shqisë mjaft të zhvilluar të të parit. Nëse bashkë me aftësinë për të fluturuar nuk do të kishim edhe një shikim të përsosur, do të ishte e rrezikshme për ne të ndërmerrnim ato udhëtime aq të gjata. Ne jemi në gjendje të shohim objekte në largësi shumë më mirë se sa njerëzit dhe kemi një fushë të gjerë shikimi. Kështu, nëse shohim gjatë fluturimit ndonjë rrezik, ne e ndryshojmë drejtimin dhe shpejtësinë. Ne nuk mund t’i lëvizim sytë rreth e rrotull si njerëzit, sepse ata janë të futur në kapakët e tyre. Por ne mund të lëvizim kokën dhe qafën rreth e rrotull dhe shpejt për të rritur fushën e shikimit.” Tani Enveri e kuptoi: “Ah, ja pse zogjtë e lëvizin kokën pa pushim sa andej këndej, për të parë përreth. A janë të gjithë sytë e zogjve kështu?” -“Bufi dhe zogjtë e tjerë të natës kanë sy shumë të mëdhenj,- vazhdoi të fliste harabeli. Falë disa qelizave të veçanta që ndodhen në sytë e tyre, ata mund të shohin në dritë të dobët. Kjo është arsyeja pse ata shohin shumë mirë dhe mund të gjuajnë natën. Ka gjithashtu, edhe zogj të tjerë të cilët quhen zogj uji; Allahu i ka krijuar në atë mënyrë, që ata të shohin shumë mirë në ujë. Ata i zhytin kokat në ujë dhe kapin peshk dhe insekte. Allahu ia ka dhënë aftësinë që ata të shohin shumë mirë nën ujë dhe të ushqehen prej tij.” -“Zogjtë nuk i kanë sqepat njëlloj, apo jo. Pse ndodh kështu?”- pyeti Enveri. -“Allahu krijoi lloje të ndryshme sqepash që ndryshojnë nga zogu në zog dhe kjo, për të kryer funksione të ndryshme.- u përgjigj harabeli. Sqepat tanë janë krijuar sipas ambientit ku jetojmë. Krimbat dhe vemjet janë shumë të shijshëm për ne zogjtë që hamë insekte. Me sqepat tanë të hollë dhe të mprehtë, ne mund t’i kapim ata nën gjethet e pemëve. Zogjtë që ushqehen me peshk, kanë zakonisht sqepa të gjatë, me një formë të përkulur në fund, për të kapur peshkun me lehtësi. Zogjtë që ushqehen me bimë kanë sqepa që u mundësojnë të hanë lehtësisht bimët që u pëlqejnë. Zoti ynë e ka pajisur përsosmërish çdo krijesë në Tokë me të gjitha aftësitë që i duhen për të jetuar.” Enverit i lindi edhe një pyetje tjetër për harabelin: -“Ti nuk ke veshë si unë, megjithatë, ti më dëgjon mua shumë mirë. Si është e mundur kjo?” -“Shqisa e të dëgjuarit është shumë e rëndësishme për ne zogjtë. Ne e përdorim atë për të gjuajtur dhe për të lajmëruar njëri-tjetrin për ndonjë rrezik, në mënyrë që të mbrohemi. Disa zogj, për dëgjim, kanë membrana që u lejojnë atyre të dëgjojnë edhe tingujt më të hollë. Për shembull, veshët e bufit janë tepër të ndjeshëm ndaj tingujve. Ata mund të dëgjojnë edhe tinguj që njerëzit e kanë të pamundur t’i dëgjojnë.” -tha harabeli.  Enveri nuk rreshtte së pyeturi zogun e vogël: -“Ju zogjtë këndoni shumë bukur. Më pëlqen t’ju dëgjoj. Përse e përdorni zërin tuaj?” -“Zogu tundi kokën në shenjë pohimi: “Disa nga ne këndojnë këngë të ndryshme për t’i shmangur grabitqarët. Shpeshherë ne i ndërtojmë foletë në zgavrat e trungjeve të pemëve dhe kur ndonjë grabitqar përpiqet të hyjë në fole, zogu vërshëllen si gjarpër. Grabitqari mendon se është gjarpër dhe kështu, foleja mbetet e paprekur.” -“Çfarë bëni tjetër ju për ta mbrojtur folenë nga armiqtë?” -desh të dinte Enveri. -“Ne ndërtojmë mjaft fole të rreme për ta shmangur armikun. Në këtë mënyrë, ne i mbrojmë foletë dhe vezët që kemi aty. Për t’i mbrojtur foletë nga gjarpërinjtë helmues, ne i fshehim hyrjet e tyre dhe i bëjmë shumë të ndërlikuara. Një mjet tjetër mbrojtës është se ne i ndërtojmë foletë nëpër pemë që janë me shumë gjemba nëpër degë.” -“Si është e mundur që disa zogj mund të notojnë në ujë? Dhe pse nuk notojnë të gjithë zogjtë?”- e pyeti Enveri shokun e tij.  Harabeli u përgjigj: -“Allahu ka krijuar disa prej nesh me aftësinë për të notuar. Ai u ka dhënë atyre këmbë si lopata për t’ia lehtësuar notin kur zhyten. Zogjtë e tjerë kanë gishtat e këmbës mjaft të hollë, por pa membrana bashkuese. Kështu, përveç zogjve të ujit, zogjtë e tjerë nuk mund të notojnë.” -“Tamam si lopata noti!- thirri Enveri. Kur notoj me to, unë notoj shumë më shpejt.” -“Ka disa lloj zogjsh që i kanë ato të veshura në këmbë qëkur lindin.” -i tha zogu.  Në kohën që ata po bisedonin, nëna i tha të shkonte në dhomë për të bërë detyrat. Por, edhe shiu tashmë kishte pushuar.  Enveri i tha shokut të tij: -“Tani më duhet të shkoj në dhomë për të bërë detyrat. Nesër do t’i tregoj shokëve të mi për aftësitë tuaja të veçanta dhe se si ju ka krijuar Allahu, me mjeshtëri krijuese të përsosur, ju dhe gjithë krijesat e tjera.” -“Shiu paska pushuar, tani unë mund të shkoj përsëri në fole.- iu përgjigj harabeli i vogël. Të falënderoj që më more brenda, Enver. Kur t’i tregosh shokëve të tu për ato që mësove për ne, a mund t’ju thuash atyre të kujdesen për ne dhe të mos na qëllojnë me gurë as ne dhe as ndonjë krijesë tjetër?” -“Po, sigurisht që do t’i tregoj.- ra dakord Enveri. Allahu të ruajt kurdoherë!” Enveri ia hapi dritaren dhe zogu i vogël fluturoi menjëherë. I mbushur në shpirt me mirënjohje për krijimin e mrekullueshëm dhe të përsosur të Allahut, u ul të bënte detyrat.

Qabja drejtperdrejt

Radio-pendimi-logo

Radio-pendimi-logo