Në çdo gjë ka mirësi
Autor: Harun Yahya
Aliu është një nxënës i mirë. Ai vazhdon shkollën fillore. Mësuesi dhe shokët e duan shumë. Ai është gjithmonë i rregullt, e respekton nënën dhe babain e tij dhe më të vjetrit. Por, Aliu mërzitet tej mase për gjërat që i ndodhin dhe shqetësohet për ato gjëra nuk kanë ndodhur ende. Për shembull, kur pret që të ketë teste në shkollë, ai ka frikë se mos marrë ndonjë notë të keqe dhe, ndonëse, studion shumë për to, ai sëmuret nga shqetësimi. Kjo e bën shpesh atë të papërqendruar dhe ndonjëherë ka dhënë edhe përgjigje të gabuara për pyetje që ai i di shumë mirë. Kur ka diçka që ai nuk e bën dot, ose gjërat nuk vijnë siç dëshiron, ai mbushet me një dëshpërim të pashpresë. Inatoset me veten kur mendon se përse nuk mundi të bënte diçka, ose përse diçka nuk ndodhi ashtu siç dëshironte. Një ditë, kur po kthehej nga shkolla, Aliu ishte shumë i gëzuar dhe i emocionuar, si gjithnjë. Kur arriti në shtëpi, nëna po bënte gati drekën në kuzhinë. Sapo e përshëndeti, ai filloi t’i tregonte si ia kishte kaluar në shkollë. -“Mami, -tha ai i entuziazmuar, -ne do të shkojmë piknik me shkollën këtë fundjavë. Do të marrim me vete ushqime, do të luajmë me top, do të shëtisim, do të këndojmë këngë, do të luajmë. A nuk është e mrekullueshme?” -“Po, Ali, më dhe një lajm shumë të mirë, -buzëqeshi nëna,- eja tani, laj duart dhe fillo të bësh detyrat.” Bëri siç i tha e ëma. Lau duart dhe fytyrën dhe nisi të bënte detyrat, por ishte ende shumë i emocionuar. Po mendonte se sa shumë do të kënaqeshin në piknik. Papritur, një mendim i rrufeshëm ia përshkoi mendjen. -“Po sikur të sëmurem në fundjavë?! Atëherë nuk do të mundem të shkoj në piknik. Do të më duhet të qëndroj në shtëpi, ndërsa të gjithë shokët e mi do të kënaqen duke luajtur me top.” Menjëherë u mërzit tej mase. Gjithë gëzimi u tret. Ndërsa bënte detyrat, vazhdonte të mendonte. Në mbrëmje, erdhi babai. Më pas, nëna i thirri për të ngrënë darkë. U ulën për të ngrënë. Aliu qëndronte i heshtur dhe i ngrysur për shkak të mendimeve të këqija që i vërtiteshin në mendje. E ëma u habit kur vuri re se ai kishte ndryshuar në fytyrë. Po ashtu, edhe babai e vuri re dhe filluan të bisedonin. -“Çfarë bëre sot në shkollë?”- e pyeti babai. -“Ne mësuam plot gjëra të reja, babi.- u përgjigj Aliu. Në matematikë u ngrita në dërrasë dhe zgjidha problemat që na dha mësuesi.” -“A nuk do t’ia tregosh babit lajmin e mirë që more sot, Ali?”- e pyeti nëna. -“Babi, ne do të shkojmë në piknik këtë fundjavë.” -“Oh, ky është lajm i mirë, Ali, -buzëqeshi babai,- po, ti nuk dukesh shumë i gëzuar për këtë.” Nëna e tij shtoi: -“Ti ishe me të vërtetë i gëzuar kur erdhe nga shkolla, por tani dukesh i mërzitur.” -“Po, unë isha i gëzuar, por pastaj më erdhi një mendim që më mërziti.” -“Pse je i mërzitur, Ali?”- e pyeti babai. Ali filloi t’i tregonte shkakun e mërzisë: -“Po sikur të sëmurem në fundjavë dhe të mos shkoj në piknik? Do të mërzitem shumë.” E ëma u përpoq ta qetësonte: -“Ali, ti nuk je i sëmurë tani dhe ne nuk mund ta dimë çfarë do të na ndodhë më vonë. A është e drejtë që ti të mërzitesh për diçka që nuk është e sigurt nëse ndodh apo jo?” Babai shtoi: -“Dëgjo, Ali, ti je i mërzitur, sepse shejtani të ka futur këto mendime të këqija në mendje dhe je i shqetësuar për gjëra që nuk kanë ndodhur ende. Ja ç’do të thotë të jesh i frikësuar! Të gjitha mendimet e këqija që na vijnë në mendje dhe të gjitha ankthet që ndiejmë në zemër janë shqetësime që na i shkakton shejtani. Allahu na tregon në Kuran çfarë duhet të bëjmë kur na pushtojnë këto shqetësime: “Nëse të godet shejtani me ndonjë vesves, kërko strehim tek Allahu. Ai është Dëgjuesi, Shikuesi.” (A‘raf: 200) -“Ali, -shtoi nëna, -kur të vijnë këto mendime të këqija në mendje kthehu menjëherë tek Allahu dhe lutu.” Babai vazhdoi t’i shpjegonte: -“Allahu e ka përcaktuar që më parë gjithçka që do të ndodhë në jetën tonë. Ai dëshiron më të mirën për ne gjithmonë. Nëse nuk shkon në piknik, të jesh i sigurt se kjo është gjëja më e mirë për ty. Disa njerëz harrojnë se në çdo gjë që na ndodh ka mirësi dhe mërziten për diçka të pakëndshme që u ndodh. Por ata nuk e dinë se Allahu i ka mbrojtur me anë të saj nga diçka më e keqe. Ata nuk mendojnë në këtë mënyrë, prandaj janë gjithmonë në ankth dhe në dëshpërim.” Aliu tundi kokën në shenjë pohimi dhe tha: “Po, tani e kuptoj shumë mirë. Që prej këtij momenti, kur të më vijnë mendime të këqija në mendje, do t’i kthehem Allahut menjëherë dhe do ta falënderoj që më ka dhënë mirësi në çdo gjë.”