Omeri dhe Peshku
Një ditë, Omeri së bashku me babain u ngritën herët para se të agonte dhe u nisën për peshkim. Omerit i pëlqente shumë kur shihte diellin duke lindur teksa peshkonte me të atin. Mëngjeseve qielli dukej fantastik dhe lindja e diellit ia mbushte zemrën me emocion sa herë që e hidhte vështrimin tej…
Në kohën kur babai po vinte karemin në grepat, Omeri u ul në anë të varkës së vogël dhe sytë tij u krodhën në kaltërsi. Papritur, nga prapa i erdhi një zë:
-“Mirëmëngjes o shok i vogël,” tha ai me një të folur me flluska.
-“Hej, mirëmëngjes edhe ti o peshk,” -ia ktheu Omeri. Dukesh sikur edhe ti je zgjuar herët sot dhe ke dalë për not. Unë sapo kam mësuar të notoj, po ju peshqit mësoni të ntoni sapo lindni. Si ka mundësi?”
-“Të të them të vërtetën,” -tha ai, -“ne peshqit nuk kemi nevojë për shumë lëvizje kur notojmë; të tundësh bishtin sa në një anë në tjetrën dhe kaq. Ne jetojmë rehat në ujë sepse shtyllën kurrizore e kemi të lakueshme dhe kemi sisteme të ndryshme në trupin tonë.”
-“Ti duhet të kënaqesh shumë duke notuar në ujë,” -tha Omeri mendueshëm.
-“Po, kënaqem shumë”, -pranoi shoku i tij. “Po mos harro se, trupi ynë është krijuar posaçërisht për këtë. Vetëm mendo pak, e ke më të lehtë të ecësh në ujë apo në tokë? Ne peshqit jemi krijuar me muskuj dhe shtyllë kurrizore të veçantë në mënyrë që të jetojmë dhe të notojmë në ujë. Shtylla kurrizore na mban drejt dhe gjithashtu lidh pendët tona dhe muskujt. Të mos i kishim këto, do ta kishim të pamundur të jetonim në ujë. E sheh, o shoku im i vogël, si çdo gjallesë tjetër, Allahu na krijoi ne peshqit pa asnjë të metë dhe na ka dhuruar dhuntitë më të mira për ambientin në të cilin jetojmë.”
-“Ti nuk noton vetëm sa majtas djathtas, ndonjëherë ti zhytesh në thellësi. Si ia del?” -e pyeti Omeri.
-“Ne mund të zhytemi falë një sistemi trupor të ndryshëm që Allahu na ka dhënë neve peshqve.” -ia ktheu shoku. -“Peshqit kanë qese ajri në trup. Për t’u zhytur në thellësi ne i mbushim këto qese me ajër, ndërsa për të dalë në sipërfaqe i zbrazim ato. Ta merr mendja, ne nuk do të kishim kurrë aftësinë t’i zhvillonim këto cilësi vetë, nëse Allahu nuk do të kishte dashur që të ishin kështu.”
Në kohën kur babai po ujdiste punët në cep të varkës, Omeri vazhdonte bisedën me peshkun:
-“Po sjell ndër mend vendet ku qarkullojnë turma të mëdha njerëzish, secilit i duhet të ecë në majtë ose në të djathtë në të njëjtën kohë dhe, sidomos kur është errësirë është e pamundur që njerëzit të mos përplasen me njëri-tjetrin. Po ju peshqit si e keni zgjidhur këtë problem?”
Peshku i vogël nisi të shuante kureshtjen e Omerit: -“Për të mos u përplasur me të tjerët rreth jush, juve njerëzve ju duhet të shihni se kë keni përpara, kurse ne peshqit nuk kemi nevojë për këtë sistem pamor. Ne kemi një organ ndijor të përkryer, të quajtur “linja laterale” apo “vija anësore.” Ne mund të ndjejmë menjëherë edhe ndryshimin më të lehtë në presionin e ujit, valëzën më të lehtë apo edhe turbullimin më të vogël në rrjedhën e tij për shkak të receptorëve të veçantë në vijën anësore. Vetëm duke ndjerë vibrimet, ne mund të kuptojmë nëse pranë nesh kemi një grabitar, apo një pengesë pa patur nevojë ta shohim me sy. Këta detektorë apo zbulues janë vecanërisht të ndjeshëm ndaj vibrimeve me frekuencë të ulët të cilat ndodhin pranë nesh. Për shembull, ne mund të ndjejmë menjëherë hapat e njerëzve në breg të detit, apo ndonjë send që hidhet në ujë dhe të reagojmë si të jetë më e përshtatshme.”
Omeri ia priti i ngazëllyer: -“Ëëë, tani po e kuptoj. Unë mund të këndoj ose të ndez radion pranë ujit, por ju nuk shqetësoheni, por, me lëkundjen më të lehtë të ujit, për shembull kur tund skelën apo kur hedh një gur, ju të gjithë ia mbathni!”
Shoku i tij i ri vazhdoi të fliste: -“Omer, ky sistem që kemi ne, të cilin shkencëtarët e quajnë vija anësore është një strukturë vërtet mjaft e ndërlikuar. Nuk ka asnjë mundësi që ajo të jetë zhvilluar rastësisht, apo hap pas hapi me kalimin e kohës. Të gjithë përbërësit e këtij sistemi duhet të jenë krijuar të gjithë njëkohësisht, ndryshe ai nuk do të vepronte.”
Omeri po e shihte me vërejtje peshkun dhe i ra në sy se ai nuk kishte kapakë në sy. Ndaj, i çuditur, e pyeti:
-“Po ti nuk paske kapakë në sy. Si i mbron sytë?”
-“Ke të drejtë,” -u përgjigj shoku. -“Ne peshqit nuk kemi kapakë në sy sikur njerëzit. Ne e shohim botën nëpërmjet një membrane delikate, e cila e vesh syrin. Ti mund ta krahasosh atë me syzet e palombarit. Ne kemi nevojë të shohim vetëm objektet që ndodhen shumë afër, për këtë arsye sytë tanë janë krijuar kështu. Kur na duhet të vështrojmë larg, i gjithë sistemi i lentes zhvendoset prapa në sajë të një mekanizmi muskulor të veçantë që ndodhet brenda në sy. Edhe peshqit më të vegjël kanë një ndërtim të ndërlikuar. Nuk ka dyshim se edhe kjo është një provë tjetër e krijimit të shkëlqyer të Allahut.”
Omerit iu kujtua se kishte parë një film dokumentar një ditë më parë. Ishin një tufë me peshq të ngjyrave dhe formave të ndryshme. Solli ndër mend se ngjyrat e tyre të mrekullueshme dhe cilësitë e tyre mahnitëse ishin fakte shumë të mira që tregonin krijimin e përkryer të Allahut. Peshku, shoku i tij i zgjuar vazhdonte t’i mësonte dituri për jetën e tij:
-“A e dije o shok i vogël, se trupi ynë është i mbuluar me një mbulesë shumë të fortë?”
-“Omeri vrau mendjen për nja dy sekonda dhe iu përgjigj: -“Po, ti ke një lëkurë me luspa, e kam parë, si jo. Po, nuk duket shumë e trashë.”
-“Kjo lëkurë përbëhet nga dy shtresa: shtresa e sipërme dhe e poshtme,” -e sqaroi peshku. -“Në brendësi të shtresës së sipërme ndodhen disa gjendra, të cilat prodhojnë një lëndë të quajtur mukozë, që ndihmon për të zvogëluar fërkimin deri në nivelin më të ulët gjatë kohës kur lëvizim në ujë. Kjo na ndihmon që të notojmë më shpejt. Po ashtu, ajo është edhe e rëshqitshme dhe grabitqarët nuk na kapin dot. Një tjetër tipar i mukozës është se na mbron nga sëmundjet.”
Omeri i tha: -“Njëherë, unë u përpoqa të kapja me dorë peshqit në kovën e babait, po ata më rrëshqisnin nga dora përsëri.”
Peshku buzëqeshi me atë që i tregoi Omeri e ia ktheu: -“Të veçantat për lëkurën tonë nuk mbarojnë këtu. Në pjesën e sipërme të lëkurës është një shtresë e veçantë e përbërë nga keratina. Ajo është n jë material i fortë dhe i qëndrueshëm, e cila formohet nga vdekja e qelizave të vjetra në shtresën e poshtme, të cilat e humbin kontaktin me burimin e ushqimit dhe oksigjenit.”
“Kjo shtresë e përbërë nga keratina e pengon ujin të hyjë në trup dhe është e dobishme në ekuilibrimin e presionit të brendshëm dhe të jashtëm. Nëse nuk do të ishte kjo shtresë, uji do të futej në trupin tonë, ekuilibri i presionit do të shkatërrohej dhe ne do të vdisnim menjëherë.”
Omerit i bënë shumë përshtypje ato që i tregoi peshku dhe i tha:
-“Çfarë tiparesh të rëndësishme ka lëkura e peshkut, për të cilën asnjeri nuk e vret mendjen!”
-“Ashtu është,” -pranoi peshku. Omer, siç mund ta shohësh, është Allahu, i Cili krijoi gjithçka, Ai që u ka dhënë peshqve të gjitha cilësitë që kanë. Ai i njeh mirë nevojat e të gjitha krijesave.”
Omeri dëgjoi zërin e babait që vinte nga pupa e varkës.
-“Eja, Omer! Erdhi koha për t’u kthyer në shtëpi!”
Omeri ndaloi për një çast sa për t’i thënë mirupafshim shokut të tij:
-“Faleminderit për gjithçka që më mësove. Sa herë që të shoh ndonjë peshk, do të kujtoj edhe një herë krijimin e mrekullueshëm të Allahut dhe do ta falenderoj Zotin tonë për të gjitha mirësitë që na ka dhuruar.”